Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka bërë të ditur se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, po vazhdojnë hetimet intensive lidhur me rastin e dyshuar të krimeve të luftës në komunën e Zubin Potokut.
Sipas njoftimit, deri më tani janë arrestuar tre persona, të dyshuar për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”. Në kuadër të hetimeve janë realizuar kontrolle në disa lokacione.
Në fshatin Jabukë janë gjetur mbetje mortore, të cilat do t’i nënshtrohen ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe analizave të ADN-së për identifikimin e tyre.
Ndërkohë, autoritetet kanë bërë të ditur se gërmimet dhe hetimet po vazhdojnë edhe në një lokacion të tretë, në fshatin Kalludër e Vogël.