August 21, 2026
1 min read

Prokuroria Speciale ngre aktakuzë ndaj gjashtë personave, dyshohen për grup të organizuar kriminal dhe planifikim vrasjeje

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Adem Helshanit, Qëndrim Elshanit, Mentor Dreshajt, Leon Dizdarit, Ardian Gashit dhe Faruk Osajt, nën dyshimet për pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal dhe vepra të tjera penale.

Sipas aktakuzës, të pandehurit dyshohet se nga korriku i vitit 2024 deri më 29 janar 2025 kanë vepruar në mënyrë të organizuar, me role të ndara dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror.

Prokuroria pretendon se Adem Helshani kishte rolin e organizatorit dhe drejtuesit të grupit, ndërsa Qëndrim Elshani dyshohet se shërbente si ndërmjetës për përcjelljen e urdhrave dhe sigurimin e mjeteve financiare e armëve.

Një nga akuzat më të rënda lidhet me dyshimet për përgatitjen e vrasjes së Shkodran Hysenit. Sipas aktakuzës, për realizimin e vrasjes dyshohet se ishin ofruar 30 mijë euro, ndërsa për plagosjen 7 mijë euro.

Më 29 janar 2025, në afërsi të hekurudhës në Nabërgjan të Pejës, dyshohet se Ardian Gashit i ishte dorëzuar një armë automatike AK-47 për realizimin e planit.

Megjithatë, sipas Prokurorisë, ndërhyrja dhe arrestimet nga Policia e Kosovës kanë penguar realizimin e vrasjes së planifikuar.

Aktakuza përfshin gjithashtu pretendime për kërcënime, detyrim, zjarrvënie dhe posedim të paautorizuar të armëve. Në një nga rastet, Faruk Osaj dyshohet se i kishte vënë zjarrin një kamionete në Baicë të Istogut, duke shkaktuar rreth 9 mijë euro dëme materiale.

Prokuroria thotë se hetimet janë mbështetur në përgjime të telekomunikimeve, monitorime audio dhe video, vëzhgime fizike, bastisje, sekuestrime, ekspertiza dhe deklarata të dëshmitarëve.

Sipas PSRK-së, provat krijojnë dyshimin e bazuar mirë se bëhet fjalë për një strukturë të organizuar me role të përcaktuara dhe koordinim të vazhdueshëm.

Të gjashtë të pandehurit përballen me akuza për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar, ndërsa aktakuza përfshin edhe vepra të tjera penale që lidhen me përgatitjen e vrasjes së rëndë, detyrimin, zjarrvënien, shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtjen pa leje.

/Demantim News/

Latest from Blog

Go toTop