Qendra e Studentëve ka nisur punimet për rinovimin e dy konvikteve, të cilat synohet të jenë të gatshme për pranimin e studentëve në muajin shtator. Drejtori i këtij institucioni, Ekrem Rudari, tha se përgatitjet po zhvillohen sipas planit dhe fillimi i procesit të akomodimit do të varet edhe nga afatet e pranimit të studentëve të përcaktuara nga Universiteti i Prishtinës.
Sipas tij, nëse afati i dytë i regjistrimeve përfundon në fillim të shtatorit, Qendra e Studentëve do të jetë e gatshme që më 15 shtator të nisë me pranimin e studentëve.
Rudari bëri të ditur se gjatë këtij viti nuk janë paraparë investime të reja kapitale, përveç punimeve të renovimit që po realizohen aktualisht. Megjithatë, ai theksoi se investimet më të mëdha pritet të nisin gjatë vitit të ardhshëm në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare.
Në mesin e projekteve të planifikuara janë ndërtimi i tre konvikteve të reja, mbulimi i pishinës gjysmë olimpike, si dhe renovimi i objekteve ekzistuese të Qendrës së Studentëve.
Duke folur për kapacitetet e akomodimit, Rudari tha se aktualisht Qendra e Studentëve mund të strehojë rreth 4 mijë studentë, ndërsa me përfundimin e investimeve të reja ky numër pritet të arrijë në 5 mijë.
Megjithatë, kërkesa për akomodim mbetet më e lartë se kapacitetet në dispozicion, pasi çdo vit aplikojnë rreth 6 mijë studentë, çka nënkupton se afërsisht 2 mijë prej tyre mbesin pa siguruar vend në konvikte.