Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka reaguar pas vdekjes së punëtorit të KEK-ut, Arbenit Ahmeti, duke ngritur shqetësime të forta për sigurinë në vendin e punës.
Ramadani ka deklaruar se brenda pak javësh, tre punëtorë të Korporatës Energjetike të Kosovës kanë humbur jetën gjatë kryerjes së detyrave të tyre.
Ai ka përmendur rastin e fundit të Arbenit Ahmetit, i cili humbi jetën pas kontaktit me rrymën, si dhe vdekjen e teknikut Haxhi Gojnovci disa ditë më herët dhe të punëtorit Milazim Binaku rreth një muaj më parë.
Sipas Ramadanit, këto raste tregojnë për një situatë alarmante në ndërmarrjet publike, të cilën ai e ka cilësuar si “dështim total dhe kriminal të shtetit”.
Deputeti ka kritikuar edhe qeverisjen aktuale për gjendjen e sigurisë në punë, duke pyetur se çfarë ka ndodhur me premtimet për rritjen e numrit të inspektorëve dhe përmirësimin e kushteve të punës.
Ramadani ka pretenduar se gjatë këtij viti më shumë se 17 familje në Kosovë janë përballur me humbjen e një familjari në vendin e punës, duke kërkuar më shumë përgjegjësi institucionale për sigurinë e punëtorëve.
Në fund, ai ka shprehur ngushëllime për familjet e Ahmetit, Gojnovcit dhe Binakut, duke theksuar se siguria e punëtorëve duhet të jetë prioritet dhe se puna për sigurimin e jetesës nuk duhet të rrezikojë jetën e tyre.