Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë njoftuar se çështja ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit ka hyrë në fazën përfundimtare.
Sipas njoftimit, deklaratat përmbyllëse në rastin “Prokurorja e Specializuar kundër Hashim Thaçit dhe të tjerëve” do të mbahen më 10, 11 dhe 14 shtator 2026, duke nisur nga ora 09:30.
Seancat do të jenë të hapura për publikun dhe do të transmetohen në gjuhët shqipe, serbe dhe angleze përmes faqes zyrtare të Dhomave të Specializuara. Personat që dëshirojnë t’i ndjekin nga afër seancat duhet të regjistrohen paraprakisht, ndërsa afati për aplikim është deri më 14 gusht 2026, në orën 18:00.
Gjykimi ka kaluar në fazën përfundimtare pasi më 5 gusht 2026 gjykatësi i vetëm ka përmbyllur procesin e paraqitjes së provave dhe ka caktuar datat për deklaratat përmbyllëse.
Thaçi dhe katër të bashkëakuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që lidhen me pengimin e administrimit të drejtësisë dhe mosbindjen ndaj gjykatës. Procesi gjyqësor kishte nisur më 27 shkurt 2026.