August 12, 2026
1 min read

“Republika s’mund të mbahet peng”, një grup intelektualësh e akademikësh apel për formimin e institucioneve

Një grup prej 46 intelektualësh, akademikësh, profesionistësh, artistësh dhe përfaqësuesish të shoqërisë civile kanë bërë thirrje për tejkalimin e krizës politike dhe formimin sa më të shpejtë të institucioneve të Kosovës.

Në apelin e titulluar “Republika nuk mund të mbahet peng”, të shpërndarë edhe nga ish-deputeti Ilir Deda, nënshkruesit shprehin shqetësimin se vazhdimi i ngërçit politik mund të cenojë rendin kushtetues, demokracinë dhe funksionimin e shtetit të së drejtës.

“Kosova nuk mund të vazhdojë të mbetet pa institucione funksionale për shkak të kalkulimeve partiake, interpretimeve të njëanshme të Kushtetutës apo mungesës së vullnetit për kompromis demokratik”, thuhet në letër.

Nënshkruesit kërkojnë nga deputetët që me urgjencë të ndërmarrin veprimet e nevojshme për konstituimin e Kuvendit dhe institucioneve të tjera, në përputhje me detyrimet kushtetuese.

Ata u bëjnë thirrje partive politike që të heqin dorë nga ultimatumet dhe interesat partiake, ndërsa kërkojnë që shoqëria civile, akademikët, mediat dhe qytetarët të mos qëndrojnë indiferentë ndaj bllokadës institucionale.

Në apel kërkohet gjithashtu që në qendër të veprimit politik të rikthehen interesat strategjike të Kosovës, përfshirë integrimin euroatlantik, forcimin e aleancave me partnerët strategjikë dhe konsolidimin ndërkombëtar të shtetit.

Në mesin e 46 nënshkruesve janë ish-gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, profesorë universitarë, diplomatë, drejtues organizatash, ekspertë, artistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

“Kosova nuk ka rrugë tjetër për të ecur përpara!”, përfundon apeli i publikuar më 12 gusht.

/Demantim News/

Latest from Blog

Go toTop