Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Bebe Rexha, ka përcjellë një mesazh mbështetjeje për të rinjtë në Shqipëri, në një kohë kur vendi po përballet me protesta kundër qeverisë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, artistja ka shkruar: “Rinia është e ardhmja!”, duke theksuar rëndësinë e të rinjve dhe rolin e tyre në ndërtimin e së ardhmes.
Reagimi i saj vjen në një periudhë kur protestat në Tiranë, të nisura nga studentët dhe të mbështetura edhe nga gjimnazistët, janë shoqëruar me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë.
Gjatë demonstratave, të rinjtë kanë ngritur shqetësime për gjendjen në arsim, duke kërkuar përmirësimin e kushteve, më shumë mbështetje për brezin e ri dhe krijimin e mundësive më të mira për të ardhmen. Ndër kërkesat e protestuesve është edhe dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.
Mesazhi i Bebe Rexhës vjen në një kohë kur kërkesat dhe pjesëmarrja e të rinjve po zënë një vend të rëndësishëm në zhvillimet e fundit në Shqipëri.
