August 20, 2026
1 min read

Rizvanolli kërkon hetim urgjent pas vdekjes së punëtorit të KEK-ut: Llogaridhënie nëse pati neglizhencë

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka reaguar pas vdekjes tragjike të punëtorit të KEK-ut, Arbenit Ahmeti, duke u shprehur ngushëllime familjes, të afërmve dhe kolegëve të tij.

Rizvanolli ka bërë të ditur se nga Bordi dhe menaxhmenti i KEK-ut ka kërkuar hetim urgjent administrativ për të sqaruar rrethanat e rastit.

Ajo ka theksuar se duhet të ketë llogaridhënie të plotë nëse hetimet konstatojnë neglizhencë në punë apo shkelje të protokolleve të shëndetit dhe sigurisë.

“Përderisa presim që organet kompetente të hetojnë këtë rast, nga Bordi dhe menaxhmenti i KEK-ut kam kërkuar që urgjentisht të sigurojnë hetim administrativ të rastit dhe llogaridhënie të plotë në rast se konstatohet neglizhencë në punë apo shkelje e protokolleve të shëndetit dhe sigurisë”, ka deklaruar Rizvanolli.

Ministrja ka kërkuar gjithashtu që të bëhet rivlerësimi i masave të sigurisë në KEK dhe që ato të zbatohen në mënyrë rigoroze, me qëllim të mbrojtjes së punëtorëve dhe parandalimit të rasteve të ngjashme.

/Demantim News/

Latest from Blog

Go toTop