August 24, 2026
1 min read

Rizvanolli për vagonët e “Trainkos”-it në Serbi: Edhe në vitin 2017 u riparuan atje

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka reaguar pas publikimit të një dokumenti që tregon se vagonë të “Trainkos”-it janë dërguar në Serbi për riparim gjatë vitit 2024.

Rizvanolli ka konfirmuar se vagonët janë dërguar në Zrenjanin, por ka theksuar se kjo nuk është hera e parë që një procedurë e tillë është realizuar.

Sipas saj, vagonët ishin dërguar për riparim në Zrenjanin edhe në vitin 2017, menjëherë pas blerjes së tyre. Ajo tha se procedura ishte iniciuar gjatë qeverisë së Isa Mustafës, ndërsa përurimi i vagonëve të riparuar ishte bërë gjatë qeverisë së Ramush Haradinajt, nga ministri i atëhershëm i Infrastrukturës, Pal Lekaj.

Rizvanolli ka pyetur nëse Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e kishte konsideruar problem këtë praktikë edhe në vitin 2017, kur Lekaj kishte marrë pjesë në përurimin e vagonëve.

Reagimi i saj erdhi pas publikimit nga ish-deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, të një dokumenti të “Trainkos”-it të datës 13 nëntor 2024. Dokumenti lidhet me kontratën për “Riparimin e mesëm të vagonëve të udhëtarëve”.

Sipas raportit, një komision i “Trainkos”-it kishte vizituar më 6 tetor 2024 punëtorinë e kompanisë “Shin Voz” në Zrenjanin, ndërsa punimet dhe testimet e vagonëve ishin kryer më pas. Në dokument thuhet se vagonët i kishin përmbushur parametrat teknikë dhe ishin pranuar, ndërsa pranimi fizik do të bëhej pas kthimit të tyre në Kosovë.

Ndërkohë, ish-zyrtari i sigurisë, Burim Ramadani, e kishte kritikuar këtë praktikë, duke e lidhur dërgimin e vagonëve në Serbi me periudhën pas sulmit në Banjskë dhe duke pretenduar se paratë publike po përfundonin në Serbi.

Latest from Blog

Go toTop