August 19, 2026
1 min read

Rritet bilanci i Etheve të Nilit Perëndimor: 38 raste dhe katër viktima

Në Maqedoninë e Veriut ka shkuar në 38 numri i rasteve të konfirmuara me Ethet e Nilit Perëndimor, ndërsa autoritetet kanë njoftuar se katër persona kanë humbur jetën nga infeksioni.

Nga rastet e regjistruara, 37 janë nga rajoni i Shkupit, ndërsa një rast është evidentuar në Veles. Të gjithë pacientët po marrin trajtim në Klinikën Infektive në Shkup.

Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, ka bërë të ditur se nga personat e prekur, 28 janë meshkuj dhe 10 femra. Sipas tij, vetëm gjatë javës së fundit janë regjistruar 12 raste të reja dhe tre vdekje, duke e çuar në katër numrin total të viktimave.

Klekovski ka theksuar se format neuro-invazive përbëjnë vetëm një pjesë të vogël të rasteve të infeksionit, ndërsa një pjesë e madhe e personave të infektuar mund të mos shfaqin simptoma ose të mos kenë pasoja shëndetësore.

Pas shpalljes së epidemisë në komunat Kisella Voda, Gazi Baba, Aerodrom dhe Butel, autoritetet kanë intensifikuar masat për kontrollin e mushkonjave, të cilat bartin virusin.

Ministri Klekovski ka deklaruar se aktivitetet për mbrojtjen e popullatës po vazhdojnë në zonat ku është evidentuar rritje e rasteve.

Latest from Blog

Go toTop