Një nga rrugët më të frekuentuara të Prishtinës është hapur sërish për qarkullim, pasi kanë përfunduar punimet infrastrukturore që u zhvilluan gjatë javëve të fundit. Bëhet fjalë për rrugën “Ilir Konushevci”, e cila kishte qenë e bllokuar për shkak të ndërhyrjeve në infrastrukturë.
Njoftimin për rihapjen e saj e ka bërë kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, përmes një postimi në rrjetet sociale.
“Sot, rruga ‘Ilir Konushevci’ është e hapur dhe plotësisht funksionale. Ekipet kanë punuar pa ndërprerje, edhe gjatë orëve të natës, për ta përfunduar projektin sa më shpejt”, ka shkruar Rama.
Segmenti kishte qenë i mbyllur nga kryqëzimi me rrugën “Lidhja e Prizrenit” deri te ai me rrugën “Vëllezërit Fazliu”, ku po realizoheshin punime për përmirësimin e infrastrukturës rrugore.
Punimet kishin nisur më 22 korrik, ndërsa Komuna kishte paralajmëruar angazhim të shtuar për përfundimin e tyre brenda afatit të paraparë.
Me rihapjen e këtij segmenti pritet të lehtësohet qarkullimi i automjeteve dhe të zvogëlohen kolonat në një nga zonat më të ngarkuara të kryeqytetit.