Avokati i familjes së rreshterit Afrim Bunjaku, Arianit Koci, ka kërkuar dënimin maksimal për të akuzuarit në rastin e sulmit në Banjskë.
“Dënim me burgim të përjetshëm, nuk ka tjetër”, tha Koci gjatë paraqitjes së tij në gjykatë.
Ai shtoi se mungesa e pendesës dhe e distancimit nga akti e rëndon edhe më shumë rastin.
“Po vazhdon të ‘vritet’ familja e Afrim Bunjakut, sepse askush nuk ka kërkuar falje dhe nuk është distancuar nga ky akt”, deklaroi ai.
Ndërkohë, avokatja Besjana Ismajli tha se e mbështet fjalën përfundimtare të prokurorit Naim Abazi, duke kërkuar që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen me burgim të përjetshëm.
Ajo theksoi se i dëmtuari Qlirim Shaqiri ka pësuar pasoja të rënda fizike dhe psikike si pasojë e sulmit, duke kërkuar edhe kompensim për trajtimin dhe rehabilitimin e tij.
Avokati Naim Rudari, përfaqësues i palës së dëmtuar Alban Rashiti, tha se fjalën përfundimtare e ka përgatitur me shkrim dhe se e mbështet në tërësi prokurorin e shtetit.
“E mbështesim fjalën e prokurorit të shtetit, i cili në mënyrë kronologjike ka elaboruar të gjitha provat e mundshme, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, për të dëshmuar se këta tre të akuzuar janë përgjegjës në kuadër të një grupi të organizuar”, tha Rudari, transmeton Betimi për Drejtësi.
Seanca ka përfunduar me dhënien e fjalës përfundimtare të avokatëve të palës së dëmtuar derisa me dakordim të palëve mbrojtja e të akuzuarve fjalën përfundimtare do ta paraqesë në një datë tjetër.