Shtetet e Bashkuara kanë kryer për të shtatën natë me radhë sulme ajrore ndaj objektivave ushtarake në Iran. Komanda Qendrore Amerikane (CENTCOM) njoftoi se janë goditur qendra mbikëqyrjeje, infrastrukturë logjistike ushtarake, depo nëntokësore armësh dhe kapacitete detare iraniane.
“CENTCOM vazhdon ta mbajë Iranin përgjegjës me urdhër të Komandantit të Përgjithshëm, ndërsa zbaton plotësisht bllokadën detare ndaj porteve iraniane”, thuhet në deklaratën e saj. Sipas CENTCOM-it, në Lindjen e Mesme janë të dislokuar mbi 50 mijë ushtarë amerikanë, të cilët mbeten në gatishmëri të plotë.
Mediat shtetërore iraniane raportuan shpërthime në disa zona të vendit, ndërsa Irani u kundërpërgjigj me raketa dhe dronë ndaj disa vendeve të rajonit. Kuvajti dhe Jordania njoftuan se kanë interceptuar raketat dhe dronët iranianë, ndërsa Garda Revolucionare Iraniane pretendoi se ka goditur objektiva ushtarake amerikane në Kuvajt dhe Bahrejn.
Presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi se sulmet do të intensifikohen nëse Teherani nuk rikthehet në negociata. “Do t’i godasim shumë fort sonte, nesër dhe netët në vijim. Javën e ardhshme vijnë termocentralet dhe urat. Do t’i shkatërrojmë nëse nuk ulen në tryezën e negociatave”, deklaroi Trump.
SHBA-ja ka rikthyer gjithashtu bllokadën detare ndaj anijeve iraniane në Ngushticën e Hormuzit si pjesë e presionit ndaj Teheranit.