Sindikata e Re e KEK-ut ka reaguar pas aksidenteve tragjike në vendin e punës, duke kërkuar masa konkrete për parandalimin e rasteve të ngjashme dhe rritjen e sigurisë së punëtorëve.
Sipas Sindikatës, vetëm gjatë vitit 2026 kanë humbur jetën katër punëtorë të KEK-ut: Mixhen Sadiku, Milazim Binaku, Haxhi Gojnovci dhe Arbenit Ahmeti.
Në reagim thuhet se pas çdo tragjedie ka pasur ngushëllime, deklarata dhe premtime për masa, por sipas Sindikatës, problemi kryesor është mungesa e parandalimit të rreziqeve para se të ndodhin aksidentet.
“Problemi është se nuk po u paraprihet situatave të rrezikshme. Nuk po ndërtohet një sistem që e identifikon dhe eliminon rrezikun para se ai të marrë jetë”, thuhet në reagim.
Sindikata vlerëson se siguria në punë nuk është vetëm çështje teknike, por lidhet edhe me mënyrën e menaxhimit dhe kulturën e punës brenda KEK-ut.
Sipas saj, punëtorët duhet të kenë mundësi të raportojnë kushtet e rrezikshme dhe të refuzojnë një punë që e konsiderojnë të pasigurt, pa pasur frikë nga presioni apo pasojat.
“Punëtori duhet të dëgjohet para se të ndodhë aksidenti, jo vetëm të kujtohet pasi të ndodhë tragjedia”, thekson Sindikata.
Në fund, Sindikata u ka bërë thirrje menaxhmentit të KEK-ut, Bordit, ministrisë dhe strukturave të tjera përgjegjëse që të kalojnë nga reagimi pas tragjedive te parandalimi i tyre.
“Katër jetë të humbura vetëm brenda një viti duhet të jenë alarm serioz për të gjithë. Nuk duam më reagime pas tragjedive. Duam veprime para se të humbet jeta e radhës”, përfundon reagimi.
/Demantim News/