Ish-ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së ministres serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale, Snežana Paunović, lidhur me luftën në Kosovë.
Përmes një reagimi të publikuar, Spiropali e ka cilësuar deklaratën si të papranueshme dhe fyese ndaj viktimave të luftës, duke thënë se është e pabesueshme që një zyrtare e një vendi që synon integrimin në Bashkimin Evropian të përdorë një gjuhë të tillë.
“Ky nuk është mendim politik. Ky është barbarizëm verbal”, ka shkruar Spiropali, duke kërkuar që Europa të mos heshtë përballë deklaratave që, sipas saj, glorifikojnë krimet.
Demantim News raporton se Spiropali ka theksuar gjithashtu se liria e Kosovës nuk iu dha askujt si dhuratë, por u fitua me sakrificë dhe se kujtesa e viktimave duhet të mbrohet si një detyrim moral dhe politik.
Ajo ka shtuar se Serbia, nëse e ka seriozisht rrugën drejt Bashkimit Evropian, nuk mund të qëndrojë indiferente ndaj deklaratave të tilla, të cilat sipas saj dëmtojnë marrëdhëniet me fqinjët dhe bien ndesh me vlerat evropiane.