August 5, 2026
1 min read

Supremja lë në fuqi dënimin prej 24 vjet e gjysmë burg për Jon Hotin në rastin e vrasjes së dyfishtë në Klinë

Gjykata Supreme ka refuzuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitur nga mbrojtja e Jon Hotit, duke lënë në fuqi dënimin prej 24 vjet e gjysmë burgim për vrasjen e dyfishtë të ndodhur më 13 nëntor 2024 në Klinë.

Hoti ishte shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Pejë më 30 maj 2025, e cila i kishte shqiptuar dënimin unik prej 24 vjet e gjysmë burgim. Ky vendim më pas ishte konfirmuar edhe nga Gjykata e Apelit.

Me vendimin e 10 qershorit 2026, Gjykata Supreme refuzoi kërkesën e avokatit mbrojtës, Jeton Maqedonci, i cili kishte kërkuar rigjykim të rastit ose uljen e dënimit.

Në kërkesën e tij, mbrojtja kishte argumentuar se gjatë caktimit të dënimit nuk ishte zbatuar si duhet parimi i individualizimit të dënimit dhe se gjykatat nuk kishin vlerësuar në mënyrë të drejtë rrethanat personale të të dënuarit.

Avokati kishte theksuar gjithashtu se si rrethanë rënduese ishte marrë kryesisht pasoja e veprës, përkatësisht numri i viktimave, ndërsa sipas tij nuk ishin arsyetuar mjaftueshëm faktorët e tjerë dhe ishin nënvlerësuar rrethanat lehtësuese. Ai kishte shtuar se Hoti kishte pranuar fajësinë në fazat e hershme të procedurës, gjë që, sipas mbrojtjes, duhej të ndikonte në një dënim më të butë.

Nga ana tjetër, Prokurori i Shtetit kishte propozuar që kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë të refuzohej si e pabazuar, kërkesë që u pranua nga Gjykata Supreme.

Shënim: Personi i përmendur në këtë artikull prezumohet i pafajshëm për çdo vepër penale deri në një vendim të formës së prerë të gjykatës, në përputhje me parimin e prezumimit të pafajësisë.

Latest from Blog

Go toTop