Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka dhënë fjalën përfundimtare në rastin për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.
Sveçla ka deklaruar se veprimet e ndërmarra në atë kohë kanë qenë politike, ndërsa ka përsëritur qëndrimin e tij se marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi ishte e gabuar dhe se, sipas tij, mbetet e tillë edhe sot.
Ai ka thënë se tash, në cilësinë e ministrit, përballet me kërkesa nga qytetarët e zonave që pretendojnë se kanë pësuar pasoja nga demarkacioni.
“Veprimet e atëhershme kanë qenë politike. E kemi kundërshtuar marrëveshjen për demarkacionin. Ishte gabim atëherë dhe është gabim edhe sot”, ka deklaruar Sveçla.
Ndërkohë, avokati i tij ka kundërshtuar pretendimet e Prokurorisë, duke thënë se ato nuk janë vërtetuar gjatë procesit gjyqësor.
Prokuroria ka kërkuar dënimin e Sveçlës për hedhjen e gazit lotsjellës, ndërsa nga akuza për “Pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” është hequr dorë për shkak të parashkrimit.