August 8, 2026
1 min read

Tensione në Kuvend, seanca konstituive ndërpritet pas mungesës së propozimit për kryetar

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është ndërprerë pas tensioneve dhe mungesës së një propozimi për kryetar të Kuvendit dhe nënkryetarët nga Lëvizja Vetëvendosje.

Gjatë zhvillimeve në Kuvend, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadriaj, ka hedhur vezë në drejtim të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, pas deklaratave të tij lidhur me nevojën për kohë shtesë për përfundimin e procesit të konstituimit.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, më pas ka ndërprerë punimet, pasi LVV-ja nuk ka paraqitur propozim për pozitën e kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarëve.

Në seancën e sotme kanë marrë pjesë 109 deputetë. Vazhdimi i saj është thirrur pas skadimit të afatit kushtetues për konstituimin e Kuvendit, çështje që është kundërshtuar nga partitë opozitare.

Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka deklaruar se vazhdimi i seancës është në kundërshtim me Kushtetutën dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se afati për konstituimin e Kuvendit ka përfunduar.

Edhe përfaqësuesi i KDI-së, Eugen Cakolli, ka vlerësuar se vazhdimi i seancës bie ndesh me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ka kërkuar që çështja të dërgohet për interpretim në këtë gjykatë.

Nga ana tjetër, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka mbrojtur vazhdimin e seancës, duke thënë se deputetëve duhet t’u mundësohet të bëjnë përpjekje për konstituimin e Kuvendit. Ajo ka deklaruar se kushdo që e konsideron se seanca është antikushtetuese, mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

Për situatën politike kanë reaguar edhe liderë e deputetë të partive të tjera. PDK-ja ka paralajmëruar veprime ligjore, ndërsa AAK-ja ka akuzuar LVV-në për tejkalim të afateve kushtetuese.

Në anën tjetër, nga LVV-ja është deklaruar se nuk dëshiron zgjedhje të reja dhe se synimi mbetet gjetja e një zgjidhjeje politike.

Ndërkohë, LDK-ja ka bërë thirrje për normalizimin e situatës dhe vazhdimin e përpjekjeve për një marrëveshje politike.

Situata mbetet e bllokuar, ndërsa Kuvendi ende nuk ka arritur të përfundojë procesin e konstituimit të legjislaturës së re.

Latest from Blog

Go toTop