October 19, 2026
1 min read

Tensione në protestën në Tiranë, protestuesit hedhin gurë e molotovë, policia përdor gaz lotsjellës

Përplasjet mes protestuesve dhe policisë janë përshkallëzuar sërish në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, ku po mbahet protesta e studentëve dhe gjimnazistëve.

Fillimisht, protestuesit ishin të ndarë në dy grupe, njëri pranë Kryeministrisë dhe tjetri në zonën e Parkut Rinia. Situata u tensionua pas mbërritjes së disa të rinjve të maskuar, të cilët u vendosën në krye të turmës. Më pas, protestuesit u drejtuan drejt Kryeministrisë, ku u bashkuan me grupin tjetër.

Gjatë zhvillimeve, policia ndërhyri duke përdorur gaz lotsjellës, çka bëri që turma të tërhiqej. Më vonë, protestuesit u zhvendosën në drejtim të sheshit “Skënderbej”.

Ndërkohë, forca të Gardës së Republikës janë pozicionuar edhe në tarracën e Ministrisë së Brendshme, në kuadër të masave të sigurisë.

Përplasje janë raportuar edhe në zonën ku ndodhen godinat e ministrive, ku protestuesit dyshohet se kanë hedhur gurë dhe kokteje molotovi, ndërsa policia është kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës dhe granata zhurmuese.

Situata mbetet e tensionuar, ndërsa zhvillimet në protestë po përcillen nga afër nga forcat e rendit.

Latest from Blog

Go toTop