October 16, 2026
1 min read

Tensione para Kryeministrisë në Tiranë, protestuesit hedhin gurë, policia përdor gaz lotsjellës dhe ujë

Situata në protestën në Tiranë është tensionuar para godinës së Kryeministrisë, ku protestuesit dhe forcat e policisë janë përplasur pas zhvendosjes së tubimit në këtë zonë.

Sipas informacioneve nga vendi i ngjarjes, disa protestues kanë shkulur pllakat e trotuarit dhe i kanë hedhur ato në drejtim të efektivëve të policisë.

Në përgjigje, forcat e rendit kanë përdorur gaz lotsjellës dhe ujë për të shpërndarë turmën dhe për të zmbrapsur protestuesit.

Përplasjet janë zhvilluar në intervale të ndryshme, me policinë që ka tentuar disa herë të shtyjë turmën më larg godinës së Kryeministrisë. Protestuesit janë tërhequr përkohësisht për shkak të gazit lotsjellës, por më pas janë rikthyer sërish në përballje me efektivët.

Ndërkohë, një pjesë e policëve janë pozicionuar pas automjeteve të pajisura me ujëhedhëse, ndërsa punonjësit civilë të policisë kanë qëndruar në gatishmëri për ndërhyrje dhe arrestime të mundshme.

Situata mbetet e tensionuar, ndërsa nuk ka ende informacione të plota për persona të lënduar apo të arrestuar gjatë këtyre përplasjeve.

Latest from Blog

Go toTop