Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj Skender Llugiqit, i cili dyshohet se kishte kanosur ish-kryeministrin Ramush Haradinaj dhe kishte bërë thirrje për pushkatimin e tij në ambientet e Kuvendit të Kosovës.
Llugiqi akuzohet për dy vepra penale: “Kanosja” dhe “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”.
Sipas aktakuzës, ngjarja e kanosjes ka ndodhur më 12 gusht 2026, rreth orës 14:00, në objektin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku i pandehuri dyshohet se ka kanosur personin me inicialet R.H.
Po ashtu, Prokuroria pretendon se nga fillimi i gushtit deri më 12 gusht 2026, përmes rrjeteve sociale dhe veprimeve publike, Llugiqi ka nxitur urrejtje dhe mosdurim ndaj të dëmtuarit, duke kontribuar në cenimin e rendit dhe sigurisë publike.
Ngjarja kishte ndodhur gjatë verës, kur Kuvendi i Kosovës ishte hapur për vizita nga bashkatdhetarët që jetojnë jashtë vendit. Gjatë vizitës së Llugiqit, situata ishte tensionuar pas debateve mes pjesëmarrësve lidhur me bllokadën politike që kishte përfshirë vendin në muajt paraprakë.
Rasti tashmë do të trajtohet nga Gjykata Themelore në Prishtinë, ndërsa pretendimet e paraqitura në aktakuzë mbeten objekt i procedurës gjyqësore.