Shoqata e Industrisë së Qumështit të Kosovës ka reaguar ndaj prezantimit të rezultateve të kontrolleve në sektorin e qumështit nga Ministria e Bujqësisë dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), duke kërkuar publikimin e dokumentacionit të plotë dhe provave për çdo rast të konstatuar.
Për Demantim News, Shoqata thekson se e mbështet kontrollin institucional dhe ndëshkimin e çdo operatori që ka shkelur ligjin, por kundërshton, siç thotë, “dënimin publik pa prova”, duke kërkuar publikimin e raporteve laboratorike, etiketave origjinale, numrave të loteve, procesverbaleve të marrjes së mostrave dhe metodave laboratorike të përdorura.
Shoqata kërkon gjithashtu sqarime për dallimin mes 495 mostrave të marra dhe 471 mostrave të analizuara, si dhe listën e plotë të 93 mospërputhjeve të prezantuara nga institucionet.
Në reagim thuhet se dëmtimi i besimit ndaj prodhimit vendor prek jo vetëm kompanitë përpunuese, por edhe fermerët, punëtorët dhe furnitorët, duke favorizuar produktet e importuara.
Shoqata ka paralajmëruar se, nëse dokumentacioni i plotë dhe rezultatet e analizave nuk publikohen deri më 12 gusht 2026, kompanitë anëtare do të ndalin grumbullimin e qumështit.
/Demantim News/