Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, ka vazhduar kritikat ndaj qeverisë “Kurti”.
Ai ka numëruar disa vendime të qeverisë që kanë ndikuar drejtpërdrejtë në financat e pushtetit lokal.
Në profilin e tij në Facebook, ai ka shkruar se njëra nder këto vendime është edhe shkurtimi i grantit të performancës komunale.
“Përveç barrës së vazhdueshme financiare që komunat po përballojnë nga zbatimi i kontratës kolektive, e cila vetëm gjatë këtij viti arrin në dhjetëra milionë euro, gjatë periudhës së fundit janë ndërmarrë edhe disa vendime të tjera me ndikim të drejtpërdrejtë dhe të konsiderueshëm në financat e pushtetit lokal. Shqetësuese është se të gjitha këto vendime janë marrë pa asnjë konsultim me komunat, ndonëse pasojat financiare bien drejtpërdrejt mbi buxhetet komunale dhe ndikojnë në cilësinë e shërbimeve për qytetarët”, ka shkruara ai, duke përmendur vendime me radhë.
“1. Shkurtimi i grantit të performancës komunale
Ligji për ndarjet buxhetore për vitin 2026 ka paraparë 4 milionë euro nga buxheti i shtetit për skemën e grantit të performancës. Megjithatë, janë ndarë vetëm 2 milionë euro, duke e përgjysmuar fondin qeveritar në kundërshtim me ligjin dhe duke dëmtuar komunat që kanë përmbushur kriteret ligjore për përfitim. Për më tepër, edhe këto mjete ende nuk janë shpërndarë te komunat dhe nuk dihet se kur do të realizohet shpërndarja e tyre, duke krijuar pasiguri të mëtejshme për komunat përfituese. 2. Moszbatimi i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për përvojën e punës moszbatimi nga Ministria e Financave i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me kompensimin e përvojës së punës (0.5% në vend të 0.25%) për periudhën nga fillimi i vitit 2023, gjatë vitit 2024 dhe vitit 2025 krijon obligime të konsiderueshme financiare. Si pasojë, barra financiare për zyrtarët publikë të nivelit lokal pritet t’u bartet komunave, duke rrezikuar seriozisht stabilitetin e financave komunale”, ka shkruar Totaj.