Një tragjedi e rëndë ka goditur një familje shqiptare në Jacksonville të SHBA-së, ku tre fëmijë humbën jetën pasi një zjarr përfshiu shtëpinë e tyre gjatë orëve të para të mëngjesit.
Zjarri shpërtheu rreth orës 05:15 në një banesë dykatëshe. Dy të rritur dhe dy fëmijë arritën të dilnin nga shtëpia, ndërsa zjarrfikësit gjetën tre fëmijët e tjerë pa shenja jete.
Familjarët që mbërritën në vendngjarje thanë se familja ishte me prejardhje nga Shqipëria dhe se tre fëmijët që humbën jetën ishin djem.
Dy të rritur dhe dy fëmijë të tjerë kanë pësuar lëndime dhe ndodhen në gjendje kritike. Një foshnjë dhe një i rritur u ndihmuan nga fqinjët për të dalë nga dritarja e katit të dytë.
Zjarri u vu nën kontroll rreth orës 05:40, por banesa u shkatërrua plotësisht. Shkaku i zjarrit ende nuk është bërë i ditur dhe po hetohet.