Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e kaluar në Itali, ku një 85-vjeçar shqiptar ka ndërruar jetë teksa avioni me të cilin po udhëtonte nga Tirana po përfundonte uljen në aeroportin “Marconi” të Bolonjës.
I moshuari ishte duke udhëtuar së bashku me familjarët e tij dhe, sipas informacioneve, kishte probleme të rënda shëndetësore.
Para mbërritjes në destinacion, 85-vjeçari kishte kërkuar që pas daljes nga avioni të merrte asistencë mjekësore, për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.
Megjithatë, gjatë procesit të uljes së avionit, dyshohet se ai pësoi një arrest kardiak.
Ekipet e urgjencës mjekësore 118, të cilat ishin lajmëruar paraprakisht për nevojën e ndërhyrjes, reaguan menjëherë sapo avioni mbërriti në aeroport. Pavarësisht përpjekjeve të tyre për ta ndihmuar, mjekët nuk arritën ta shpëtonin të moshuarin.
Avioni që ishte nisur nga Tirana u ul në aeroportin e Bolonjës pak pas mesnatës. Në vendin e ngjarjes mbërritën gjithashtu edhe pjesëtarë të Policisë së aeroportit, ndërsa autoritetet morën masat e nevojshme pas ngjarjes tragjike.