Një punëtor i Korporatës Energjetike të Kosovës ka humbur jetën pas një aksidenti të rëndë të ndodhur gjatë orarit të punës.
I ndjeri, Arbenit Ahmeti, sipas informacioneve fillestare, ishte duke u angazhuar në transportin dhe zhvendosjen e kabllove 6 kV, kur pësoi aksident dhe u lëndua rëndë.
Menjëherë pas ngjarjes janë ndërmarrë veprimet emergjente dhe Ahmeti është dërguar për trajtim në Ambulancën e Obiliqit. Pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, ai nuk ka arritur t’u mbijetojë lëndimeve.
KEK ka shprehur ngushëllime për familjen Ahmeti, të afërmit, kolegët dhe të gjithë ata që e kanë njohur të ndjerin.
Ndërkohë, organet kompetente janë duke e trajtuar rastin, ndërsa rrethanat e aksidentit pritet të sqarohen përmes procedurave përkatëse.