Ndërmarrja Publike “Trainkos” ka reaguar lidhur me riparimin e pesë vagonëve në Zrenjanin të Serbisë, duke theksuar se kontrata nuk i ishte dhënë drejtpërdrejt një kompanie serbe.
Sipas Trainkos, tenderi i hapur publik, i publikuar më 15 shkurt 2024, ishte fituar nga kompania “Profitech” Sh.P.K., me seli në Prishtinë. Kjo kompani, sipas ndërmarrjes, ishte operatori i vetëm që kishte aplikuar në procedurë.
Trainkos ka bërë të ditur se riparimi i vagonëve përfundoi në dhjetor 2024, ndërsa përzgjedhja e nënkontraktorëve ishte përgjegjësi e kompanisë fituese.
Pas raportimeve për dërgimin e vagonëve në Zrenjanin, Trainkos ka kërkuar sqarime nga “Profitech”. Kompania ka deklaruar se vagonët u dërguan në Serbi pasi, sipas saj, vetëm atje mund të kryhej riparimi i tyre.
Trainkos ka njoftuar se do të bëjë një vlerësim të pavarur për të përcaktuar nëse riparime të tilla mund të realizohen edhe në shtete të tjera dhe, nëse kjo është e mundur, do të shqyrtojë alternativa të tjera brenda kornizës ligjore.
Ndërmarrja ka sqaruar gjithashtu se vagonët ishin blerë në Gjermani në vitin 2017 dhe se edhe atëherë ishin riparuar në Zrenjanin.
Në reagim, Trainkos i ka cilësuar disa raportime si “tendencioze dhe manipuluese”, duke thënë se historiku i vagonëve po përdoret për qëllime të politikës ditore.
Ndërkohë, ndërmarrja ka mohuar se një prej punonjësve të përmendur në raportime është larguar nga puna, duke sqaruar se ai ndodhet në procedurë disiplinore për shkelje të detyrave të punës.
Trainkos ka deklaruar në fund se do të vazhdojë të japë sqarime për rastin dhe ka kërkuar që informacionet të bazohen në komunikimet zyrtare.