Tre persona, përfshirë një fëmijë, janë gjetur të vdekur të mërkurën në një çerdhe private në Hopkins të Minnesotas, në Shtetet e Bashkuara.
Sipas Policisë, viktimat besohet se janë anëtarë të së njëjtës familje. Në momentin e ngjarjes, brenda çerdhes ndodheshin edhe shtatë fëmijë të tjerë, të gjithë nën moshën pesëvjeçare.
Autoritetet dyshojnë se njëri nga të vdekurit, një burrë, është përgjegjës për vdekjen e dy viktimave të tjera. Megjithatë, rrethanat dhe motivi i ngjarjes mbeten ende nën hetim.
Policia u alarmua pasi një prind kishte mbërritur në çerdhe për të marrë fëmijën e tij.
Shefi i Policisë së Hopkinsit, Brent Johnston, e ka përshkruar ngjarjen si një nga rastet më të rënda me të cilat është përballur gjatë karrierës së tij.
Edhe kryetari i Hopkinsit, Patrick Hanlon, tha se komuniteti është i tronditur nga tragjedia, ndërsa autoritetet po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rastit.
/Demantim News/