Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe shefi i UNMIK-ut, Peter Due, ka shprehur pikëllim të thellë për vdekjen e dy grave në Kosovë, të cilat dyshohet se u vranë nga bashkëshortët e tyre brenda pak ditësh.
Due u ka shprehur ngushëllimet më të thella familjeve dhe të afërmve të viktimave, duke theksuar se këto raste janë një kujtesë e dhimbshme se dhuna ndaj grave mbetet një shqetësim serioz dhe urgjent për të drejtat e njeriut.
“Dhuna ndaj grave nuk duhet të tolerohet, normalizohet apo trajtohet si çështje private”, ka deklaruar Due.
Ai u ka bërë thirrje institucioneve dhe autoriteteve përkatëse që të sigurojnë hetime të shpejta, të plota dhe të paanshme, proces të rregullt ligjor dhe përgjegjësi të plotë për autorët.
Shefi i UNMIK-ut ka kërkuar gjithashtu forcim të bashkëpunimit institucional për parandalimin e dhunës me bazë gjinore, mbrojtjen e grave në rrezik dhe garantimin e qasjes në kohë në mbështetje, shërbime dhe drejtësi për viktimat dhe të mbijetuarat.