Një person me inicialet Xh.Sh. është ndaluar për 48 orë pas vdekjes së një punëtori në një vendpunishte në lagjen Veternik të Prishtinës.
Sipas Prokurorisë, i dyshuari po hetohet për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë Policia e Kosovës, Inspektorati i Punës, eksperti i sigurisë në punë, Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe zyrtarë të Drejtorisë së Inspektimit të Komunës së Prishtinës.
Ndërkohë, janë intervistuar dëshmitarët okularë dhe po vazhdon grumbullimi i provave për të sqaruar plotësisht rrethanat e rastit.
Prokurori i çështjes do të shqyrtojë brenda afatit ligjor nëse do të kërkojë caktimin e ndonjë mase sigurie ndaj të dyshuarit.
Hetimet po zhvillohen nga Prokuroria Themelore në Prishtinë në bashkëpunim me Policinë dhe institucionet tjera kompetente.