August 4, 2026
1 min read

VITA reagon pas deklaratave të ministrit Muja: Publikoni rezultatet e analizave

Kompania “VITA” ka reaguar pas konferencës për media të ministrit të Bujqësisë, Armend Muja, duke kërkuar që të bëhen publike rezultatet e analizave të mostrave të produkteve të saj.

Në reagimin e saj, kompania ka deklaruar se gjatë konferencës janë paraqitur vetëm të dhëna që, sipas saj, janë të disponueshme në institucionet përkatëse si Dogana e Kosovës, Administrata Tatimore e Kosovës dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, pa u prezantuar rezultate të reja.

Sipas VITA-s, analizat e mostrave të produkteve të saj ende nuk janë publikuar, ndonëse kompania thotë se është në pritje të tyre prej 33 ditësh.

“Jemi të bindur se të gjitha produktet tona janë të etiketuara në përputhje me kërkesat ligjore. Megjithatë, Ministria dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë duhet t’i publikojnë sa më shpejt rezultatet e analizave”, thuhet në reagimin e kompanisë.

VITA ka kundërshtuar gjithashtu deklaratat e ministrit lidhur me çështjen e furnizimit me ujë dhe numrin e të punësuarve, duke bërë të ditur se posedon leje për shfrytëzim të ujit dhe sistem për trajtimin e ujërave të ndotura.

Kompania ka sqaruar se numri i punëtorëve është i deklaruar në Administratën Tatimore të Kosovës, nën emrin “Abrazen LLC”.

Në fund të reagimit, VITA ka theksuar se produktet e saj prodhohen, sipas saj, “100 për qind nga qumështi i freskët i fermerëve kosovarë”, duke i kërkuar ministrit që të shmangë deklaratat që kompania i cilëson si të pavërteta dhe të informohet para prononcimeve publike.

Sipas VITA-s, deklaratat e bëra nga ministri mund të ndikojnë në favor të produkteve të importuara në tregun kosovar.

Latest from Blog

Go toTop