August 21, 2026
1 min read

Vjedhje e rëndë në Leposaviq, hajnat marrin 12 mijë euro, dinarë e ari – tre të arrestuar, një në kërkim

Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar për një vjedhje të rëndë në Leposaviq, ndërsa një person i katërt vazhdon të jetë në kërkim.

Sipas Policisë, persona të panjohur kishin depërtuar në një shtëpi në kohën kur aty nuk ndodhej askush, duke vjedhur 12 mijë euro, 40 mijë dinarë dhe dy zinxhirë ari.

Pas raportimit të rastit, hetimet janë marrë përsipër nga Njësia Rajonale e Hetimeve në Mitrovicë të Veriut. Përmes veprimeve operative dhe bashkëpunimit me qytetarët, policia ka identifikuar katër persona të dyshuar.

Gjatë kontrolleve në adresat e të dyshuarve, te N.L. (2007) janë gjetur 5 mijë e 300 euro, të cilat dyshohet se janë përfituar nga vjedhja. Ndërsa te N.V. (2006) është gjetur një fishek për pistoletë.

Dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë me urdhër të Prokurorit të Shtetit.

Personi i tretë i arrestuar, D.M. (2009), është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa i dyshuari i katërt vazhdon të kërkohet nga Policia.

Policia u ka bërë apel qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar kur largohen nga shtëpitë, pasi nga hetimet është vërejtur se vjedhjet ndodhin më shpesh kur pronat mbeten pa mbikëqyrje.

Për çdo rast të dyshimtë, qytetarët janë ftuar të kontaktojnë Policinë në numrin 192.

/Demantim News/

Latest from Blog

Go toTop