U.D. e Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas vrasjes së një gruaje 80-vjeçare në Prizren, duke kërkuar zbardhjen sa më të shpejtë të rastit dhe ndëshkimin maksimal të përgjegjësve, në përputhje me ligjin.
Haxhiu ka shprehur tronditjen e saj për rastin, duke theksuar se ngjarja ka ndodhur vetëm dy ditë pas vrasjes së një gruaje tjetër. Sipas saj, raste të tilla nuk duhet të konsiderohen si ngjarje të veçuara.
Ajo ka kërkuar nga organet e drejtësisë që hetimet të zhvillohen në mënyrë të plotë dhe të shpejtë, ndërsa autorët, nëse shpallen fajtorë, të marrin dënimin më të ashpër të përcaktuar me ligj.
Haxhiu ka bërë thirrje që çdo rast i dhunës ndaj grave të hetohet deri në fund, por njëkohësisht ka theksuar nevojën që dhuna të identifikohet dhe të parandalohet para se të përshkallëzohet në pasoja fatale.
Ajo u ka kërkuar institucioneve përgjegjëse të ndërmarrin masa urgjente dhe konkrete për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe garantimin e sigurisë së tyre.
Në fund, Haxhiu i ka shprehur ngushëllime familjes së gruas së ndjerë.