August 20, 2026
1 min read

Vuçiq i shkruan NATO-s kundër hapjes së Urës së Ibrit: “Të mos lejohet vendimi i Prishtinës”

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka intensifikuar kundërshtimin ndaj hapjes së Urës së Ibrit në Mitrovicë, duke bërë të ditur se i ka dërguar letër sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.

Në një videoadresim, Vuçiq ka pretenduar se qytetarët serbë në Kosovë janë përballur me, siç e ka quajtur ai, “përndjekje dhe terror të pandërprerë”, duke akuzuar institucionet ndërkombëtare se nuk kanë reaguar.

Ai ka deklaruar se gjatë pesë viteve të fundit kanë ndodhur rreth 800 raste që i ka cilësuar si sulme me motive etnike ndaj serbëve në Kosovë, ndërsa ka pretenduar se 257 persona janë arrestuar dhe keqtrajtuar.

Vuçiq ka thënë se në letrën drejtuar Rutte-s ka kërkuar që NATO të mos mbështesë hapjen e urës mbi lumin Ibër.

Sipas tij, edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Milan Mojsilloviq, ka zhvilluar një bisedë me komandantin e KFOR-it, ku është kërkuar që ura të mos hapet.

Presidenti serb ka argumentuar se çështja e urës ka qenë pjesë e dialogut dhe se, sipas tij, për të nuk është arritur marrëveshje.

Ai ka lidhur kundërshtimin ndaj hapjes së urës edhe me marrëveshjet e vitit 2013 dhe Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, duke pretenduar se moszbatimi i tyre ka ndikuar në zhvillimet e fundit.

Vuçiq ka paralajmëruar se Serbia do të vazhdojë presionin diplomatik dhe politik lidhur me këtë çështje, duke mos përjashtuar edhe mundësinë e kërkimit të një seance të posaçme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën.

Latest from Blog

Go toTop