Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se pret përgjigje nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, pas letrës që ia dërgoi lidhur me situatën në Kosovë dhe çështjen e Urës së Ibrit.
Vuçiq ka deklaruar se pret që përgjigjja t’i mbërrijë deri të hënën ose të martën, ndërsa ka shprehur pritjen që Rutte ta kontaktojë edhe përmes telefonit.
“Besoj se do ta marr përgjigjen deri të hënën ose të martën. Besoj se do të më telefonojë që të bisedojmë”, ka deklaruar Vuçiq.
Ai ka thënë se me letrën ka dashur që qëndrimet e tij të mbeten të dokumentuara me shkrim. Në të, Vuçiq i ka kërkuar NATO-s që KFOR-i të ndërhyjë për të ndalur atë që ai e cilëson si “terror ndaj serbëve” në Kosovë dhe të kundërshtojë hapjen e Urës së Ibrit për qarkullimin e automjeteve.
Çështja e urës është rikthyer në vëmendje pas paralajmërimeve për tranzicion gradual të pranisë së KFOR-it në këtë zonë dhe diskutimeve për hapjen e saj për automjete.
NATO ka deklaruar se çdo vendim për rihapjen e urës duhet të marrë parasysh nevojat e të gjitha komuniteteve lokale. Aleanca ka bërë të ditur gjithashtu se KFOR-i po vazhdon të ofrojë sigurinë e nevojshme për t’i mundësuar përpjekjeve diplomatike të Bashkimit Evropian të ecin përpara.
Sipas NATO-s, kalimi gradual i pranisë së përhershme të KFOR-it nga ura është pjesë e optimizimit të pozicionimit të misionit dhe lidhet me përmirësimin e situatës së sigurisë. Ky proces, sipas aleancës, mund të rishikohet në varësi të zhvillimeve në terren.
Ndërkohë, KFOR-i ka theksuar se do të vazhdojë të ketë prani të dukshme në veri dhe jug të Mitrovicës, si dhe në pjesë të tjera të veriut të Kosovës, me qëllim garantimin e një mjedisi të sigurt për të gjitha komunitetet.