Dogana e Kosovës ka zbuluar 30 mijë euro të padeklaruara gjatë një kontrolli në Pikën e Kalimit Kufitar në Vërmicë. Paratë ishin fshehur në një kamion që po hynte në Kosovë.
Sipas autoriteteve doganore, rasti është regjistruar më 5 gusht, kur në pikën kufitare është paraqitur për kontroll një kamion me gjysmërimorkio të zbrazët, i drejtuar nga një shtetas i Kosovës.
Shoferi kishte deklaruar se nuk transportonte mallra dhe nuk kishte mjete monetare që kërkonin deklarim. Megjithatë, pas një vlerësimi të rrezikut, Dogana dhe Policia e Kosovës kanë kryer një kontroll të detajuar të automjetit.
Gjatë kontrollit janë gjetur 30 mijë euro të fshehura në dollapin e kamionit, ndërsa një pjesë tjetër në jastëkun e shoferit. Paratë ishin në prerje prej 20, 50, 100 dhe 200 euro.
Shuma është sekuestruar përkohësisht, ndërsa ndaj rastit janë ndërmarrë procedurat e parapara me Kodin Doganor dhe legjislacionin në fuqi.
Autoritetet rikujtojnë se çdo person që transporton 10 mijë euro ose më shumë gjatë hyrjes ose daljes nga territori doganor i Kosovës është i obliguar t’i deklarojë ato pranë doganës.