October 16, 2026
2 mins read

Spiropali i drejtohet Ramës me letër publike: Dil përballë qytetarëve dhe merr përgjegjësi

Ish-ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, i ka drejtuar një letër publike kryeministrit Edi Rama, duke kërkuar ndryshime politike dhe institucionale në përgjigje të pakënaqësisë së qytetarëve dhe protestave të fundit në Tiranë.

Në mesazhin e saj, Spiropali i bën thirrje Ramës që demonstratat të mos i konsiderojë vetëm si sfidë ndaj pushtetit, por si një sinjal të qartë të pakënaqësive të qytetarëve, të cilët, sipas saj, ndihen të lënë pas dore dhe të papërfaqësuar.

Ajo vlerëson se tensionet janë rezultat i pakënaqësive të grumbulluara ndër vite, ndërsa përmend edhe vendosjen e kangjellave, të cilat, sipas saj, u shndërruan në simbol të largësisë mes institucioneve dhe qytetarëve.

“82 mandatet nuk janë mandat për të mos dhënë llogari. Janë përgjegjësi për të qeverisur edhe për ata që nuk na kanë votuar”, thekson Spiropali në letrën e saj.

Ish-ministrja nënvizon se dhuna nuk mund të jetë mjet për ndryshime politike, por as reagimi i kufizuar në masa policore nuk mund ta zgjidhë krizën. Sipas saj, nevojiten përgjegjësi politike, dialog dhe vendime konkrete për shqetësimet e qytetarëve.

Spiropali përmend ndër problemet kryesore punësimin e lidhur me ndikimin politik, mungesën e konkurrencës së ndershme, korrupsionin, vështirësitë ekonomike dhe vonesat në drejtësi.

Ajo kërkon gjithashtu reforma që garantojnë pavarësinë e institucioneve, ndarjen e partisë nga shteti dhe një sistem zgjedhor që siguron përfaqësim më të gjerë të qytetarëve.

Në letrën e saj, Spiropali i bën thirrje kryeministrit të marrë nisma për ndryshime brenda Partisë Socialiste, duke theksuar rëndësinë e meritës, konkurrencës dhe përfshirjes së brezave të rinj në drejtimin politik.

Ajo argumenton se shumica parlamentare nuk duhet të shihet si zëvendësim i besimit qytetar dhe se qeverisja kërkon llogaridhënie edhe ndaj atyre që nuk e kanë mbështetur shumicën në zgjedhje.

Në përfundim, Spiropali i kërkon Ramës të dalë drejtpërdrejt përballë qytetarëve, të dëgjojë kërkesat e tyre dhe të ndërmarrë hapa konkretë për të rikthyer besimin te institucionet.

“Shqipëria mbi të gjitha. Jo partia mbi të gjitha. As pushteti mbi të gjitha”, përfundon ajo mesazhin e saj, duke theksuar se vendi ka nevojë për ndryshim dhe përgjegjësi politike.

Latest from Blog

Go toTop