October 16, 2026
1 min read

IPK rekomandon suspendimin e tre policëve në Prishtinë, dyshohen për ngacmim seksual ndaj një gruaje

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin e tre zyrtarëve policorë të Stacionit Policor Jugu në Prishtinë, të cilët dyshohen për përfshirje në veprat penale “Ngacmimi seksual” dhe “Kontrollimi i kundërligjshëm”.

Rekomandimi është bërë të premten, pas veprimeve fillestare hetimore të ndërmarra nga inspektorati.

Sipas të dhënave të bëra publike, rasti dyshohet të ketë ndodhur pas mesnatës së 15 tetorit 2026, në afërsi të rrethrrotullimit në lagjen Lakërishte të Prishtinës.

Ankuesja ka pretenduar se ishte duke drejtuar veturën kur është ndaluar dhe kontrolluar nga zyrtarët policorë. Sipas deklarimit të saj, pas kontrollit, policët i kanë kërkuar të vazhdonte drejt Çagllavicës, me qëllim që të kryheshin veprime me karakter seksual.

Për këtë rast, me udhëzim të prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, është iniciuar procedurë penale lidhur me veprat e dyshuara.

IPK ka bërë të ditur se hetimet do të vazhdojnë në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, me synimin për të sqaruar rrethanat e ngjarjes dhe për të verifikuar pretendimet e ngritura ndaj zyrtarëve policorë.

Deri në përfundimin e hetimeve, pretendimet ndaj policëve mbeten të pakonfirmuara.

Latest from Blog

Go toTop