Eksperti i sigurisë, Bedri Elezi, ka deklaruar se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mund të përballet me një skenar të ngjashëm me atë të presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, duke iu referuar monitorimit dhe presionit nga agjencitë amerikane të inteligjencës.
Këto deklarata Elezi i bëri në emisionin “Ora 7” në Klan Kosova, ku tha se mbledhja e fundit e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë ka pasur si motiv kryesor shqetësimet personale të presidentit serb.
“Këtu është frika e tij, saktësisht. Arsyeja e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë ka të bëjë me të personalisht, sepse ai e ka parë se njësoj mund të jetë i monitoruar nga agjencitë e inteligjencës amerikane, ashtu siç ka ndodhur me Maduron. Një skenar i tillë mund ta presë, kur ShBA ta konsiderojë të nevojshme, mund të themi, me të gjitha mënyrat sa i përket tentativës për ta shpëtuar popullin serb nga ky regjim dhe nga kjo udhëheqje kriminale. Patjetër, ai ka pasur dhe ka frikë se i njëjti fat mund të përcjell jo vetëm të, por edhe disa presidentë të tjerë shtetesh, siç është paralajmëruar”, tha Elezi.