January 10, 2026
1 min read

35 të pandehur po mbahen në paraburgim në kundërshtim me ligjin, thotë avokatja Bedrie Berisha

Avokatja Bedrie Berisha Rexhepi ka reaguar publikisht ndaj vendimit të Gjykatës në Prizren për rikthimin në Qendrën e Paraburgimit të 35 të pandehurve, duke e cilësuar atë si vendim në kundërshtim me ligjin.

Sipas saj, Prokuroria e Prizrenit kishte propozuar masa alternative ndaj paraburgimit, përfshirë obligimin për paraqitje në stacion policor, ndalimin e afrimit me objektin e BSK-së, si dhe ndalimin e kontaktit ndërmjet të pandehurve. Megjithatë, këto propozime nuk janë marrë parasysh nga gjykata.

Më alarmante, sipas avokates, është fakti se këta persona po mbahen ende në ndalim edhe pas skadimit të afatit maksimal prej 48 orësh, pa ndonjë bazë ligjore apo vendim gjyqësor në fuqi.

“Pritja e një vendimi apo e arsyetimit të tij nuk përbën justifikim ligjor për mbajtjen e tyre jashtë këtij afati”, ka theksuar Berisha Rexhepi, duke shtuar se një veprim i tillë bie ndesh me parimet themelore të shtetit të së drejtës.

Ajo ka paralajmëruar se privimi nga liria pa vendim gjyqësor dhe jashtë afateve ligjore është i papranueshëm dhe krijon përgjegjësi të qarta institucionale dhe individuale për shkelje të rënda të rendit kushtetues dhe të sigurisë juridike.

Reagimi i avokates vjen në një kohë kur çështja ka nxitur interes të shtuar publik lidhur me respektimin e procedurave ligjore dhe të drejtave themelore të të pandehurve.

Latest from Blog

Go toTop