Komuna e Prishtinës brenda pak muajsh pritet të finalizojë planifikimin e tarifës së trafikut, e cila synon të lehtësojë qarkullimin në kryeqytet dhe të mbështesë investimet në infrastrukturë.
Makinat që hyjnë në Prishtinë pritet të paguajnë 1 deri në 2 euro.
Luftar Braha, drejtor i Shërbimeve Publike, tha se aktualisht po punohet në detajet e planit.
“Jemi duke punuar momentalisht në planifikim të kësaj pune, janë disa elemente, komponente që duhet me i pas parasysh edhe me i planifiku mirë edhe me realizu qysh duhet që me qenë ekzekutimi sa më i lehtë i krejt planit dhe mundësisë që me pas gjithashtu edhe stimulim pë rata që vijnë shpesh në Prishtinë. Besojë se deri në shtator ose kah fundi i vitit do ta finalizojmë”, tha Braha në një bisedë për IndeksOnline.
Ai theksoi se tarifa do të jetë e detyrueshme, por qytetarët e Prishtinës do të përfitojnë nga kjo masë.
“Është e detyrueshme dhe bëhet e detyrueshme është tarifë e trafikut, normalisht që qytetarët e Prishtinës kanë benefit shumë prej kësaj pune sepse edhe ju lirohet trafiku edhe me të hyrat që krijohen prej krejt kësaj mundet me u ndërtu unaza e jashtme edhe me u bo investime që e lehtësojnë të tilla kapitale që jetën e qytetarëve që jetojnë në Prishtinë. Pastaj, ata tjertë që vijnë, janë t’u ardh në kryeqytet janë t’u ardh me punu dhe me kriju relacione brenda qytetit nuk besojë që është ndonjë tarifë e lartë që nuk mundet me u përballu”, ka theksuar tutje ai.
Komuna planifikon gjithashtu të përfshijë masa stimuluese për banorët dhe të përmirësojë infrastrukturën rrugore për lëvizshmëri më të lehtë në qytet.