January 13, 2026
1 min read

KQZ: Në 10 komuna do të ketë rinumërim të plotë të votave

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot ka marrë vendim për rinumërimin e 914 vendvotimeve që i takojnë të gjitha komunave.

Sipas njoftimit të KQZ-së, në 10 komuna do të rinumërohen 100 për qind të vendvotimeve (Dragash, Kaçanik, Lespoaviq, Prizren, Skënderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillug), ndërkaq në 28 komunat tjera, do të rinumërohen nga 10% e vendvotimeve (Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Istog, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Zubin Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Hani i Elezit, Graçanicë, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut).

Ky vendim erdhi pas raportit të bazuar të 10 janarit, ku Sekretariati i KQZ-së ka bërë shikimin e videoincizimeve të kamerave në vendosura në tavolinat e numërimit në Qendrat Komunale të Numërimit dhe është evidentuar se ka raste të mospërputhjeve të votave për kandidatë.

“Pas këtyre evidentimeve, SKQZ ka bërë verifikimin e brendshëm të fletëvotimeve për kandidatë në 2% të vendvotimeve apo 52 vendvotime nga të gjitha komunat e Republikës së Kosovës. Deri në përfundim të ditës së hënë, 12 janar 2026, janë verifikuar 33 vendvotime, ku rezulton se votat e kandidatëve të numëruara në Qendrat Komunale të Numërimit nuk pasqyrojnë numrin e votave të kandidatëve të evidentuara në fletëvotime”, thuhet në njoftim.

Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi bëri të ditur se nëse pas rinumërimit konstatohen manipulimet eventuale me votat e kandidatëve brenda subjekteve politike, KQZ do të procedojë në organet kompetente anëtarët e ekipeve të numërimit.

Rinumërimi i këtyre vendvotimeve do të zhvillohet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve dhe do të fillojë më 13 janar 2026, në orën 18:00.

Latest from Blog

Go toTop