January 19, 2026
2 mins read

Presidentja pa shumicë: Loja që mund t’i kushtojë Vjosa Osmanit

Shkruan: Përparim Beqiri

Vjosa Osmani mbetet një nga kandidatët më të fortë, ndoshta edhe alternativa më e mirë për një mandat të dytë presidencial. Jo për mungesë emrash të tjerë, por për shkak të profilit të saj publik dhe rolit që ka ndërtuar në skenën politike. Megjithatë, realiteti parlamentar e bën rizgjedhjen e saj pothuajse të pamundur.

Albin Kurti nuk arrin t’i sigurojë 80 deputetë në sallë, apo 81 vota për zgjedhjen e presidentes. Kjo është arsyeja pse barra politike i është bartur Vjosa Osmanit. Mesazhi është i qartë: votat e Vetëvendosjes janë aty, por shumicën tjetër duhet ta sigurojë vetë ajo.

Problemi është se opozita i ka thënë hapur jo. LDK, PDK dhe AAK kanë shprehur pakënaqësitë e tyre dhe kanë deklaruar se nuk e mbështesin Vjosa Osmanin për një mandat të dytë. Edhe nga kryetari aktual i LDK-së, Abdixhiku, përgjigjja ka qenë refuzuese. Edhe pse flitet për kontakte me disa figura brenda LDK-së, qëndrimi zyrtar i partisë mbetet i pandryshuar.

Në këtë situatë, opozita nuk e sheh Vjosa Osmanin si kompromis, por si vazhdim të një projekti politik të Albin Kurtit.

Në anën tjetër, po përmendet edhe një skenar tjetër: një bashkëqeverisje VV–LDK, ku posti i presidentit do t’i kalonte LDK-së. Kjo do të ishte fitore e madhe politike për këtë parti. Por ende nuk ka emër konkret dhe as sinjale serioze se ky opsion është afër realizimit.

Vjosa Osmani, ndërkohë, do të tentojë t’i mobilizojë votat për veten. Nëse dështon dhe vendi shkon në zgjedhje, ajo do të aktivizojë planin e saj politik. Rikthim në garë, me shumë gjasë në listën e Vetëvendosjes ose në kuadër të projektit Guxo.

Por këtë herë opozita nuk duket e gatshme t’ia lehtësojë rrugën Albin Kurtit. Sidomos LDK-ja, e cila herën e kaluar qëndroi në sallë dhe e bëri të mundur zgjedhjen e presidentes.

Ironikisht, më i rrezikuari në këtë lojë politike mbetet vetë Vjosa Osmani. Nëse vendi shkon në zgjedhje dhe numrat sërish nuk mblidhen, Albin Kurti me shumë gjasë nuk do ta propozojë më atë për presidente.

Në fund, kjo nuk është më vetëm çështje emrash. Është çështje raportesh force, interesash partiake dhe një loje politike ku presidentja aktuale rrezikon të mbetet pa mbështetje, pa funksion dhe pa garanci për të ardhmen.

Latest from Blog

Go toTop