Energjia elektrike përfshiu edhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK), ku gjatë mbledhjes së të martës në një moment kur po flitet për buxhetin është ndërpre.
Megjithatë, në mbledhjen e 360-të KGJK miratoi tri pika të rendit të ditës të cilat ishin të hapura për media, ndërsa në shqyrtim mbetën edhe gjashtë të tjera që ishin të mbyllura.
Pika e parë e rendit të ditës, e miratuar ishte shqyrtimi i planit të punës së Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për vitin 2026.
Ndërsa për pikën e dytë, që ishte implementimi i planit të punës të Këshillit Gjyqësor të Kosovës për vitin 2025, para miratimit u prezantua nga drejtori i Zyrës Ligjore, Astrit Hoti, i cili tha se aktivitetet e gjykatave të Kosovës ishin të përmbushura.
“Sot para jush do të prezantoj punën dhe planin e dokumentit. Të dhënat e përmbledhura tregojnë një angazhim serioz në të gjitha nivelet e sistemit për objektivat e përcaktuara në planin e punës të KGJK-së për vitin 2025. Para vetes, në pikën e dytë, i keni të gjitha dokumentet e nevojshme të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Gjykatës Supreme, komerciale, themelore dhe të apelit. Në nivel të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, nga gjithsej 44 aktivitete të planifikuara dhe të përfunduara janë 41. Ky rezultat tregon përkushtimin e administratës së KGJK-së në përmbushjen e reformave në rrethana sfiduese praktike dhe buxhetore. Tri aktivitetet që kanë qenë të planifikuara dhe nuk janë përmbushur kanë qenë të teknologjisë informative, por për shkak të ndërprerjes së projektit kanë mbetur. Gjykata Supreme ka shënuar sukses të plotë duke përmbushur 23 aktivitete të planifikuara. Ky është një tregues i qartë i rolit zbatues. Gjykata e Apelit ka përmbushur planin e saj vjetor me 29 aktivitete, apo 100 për qind, çka tregon një menaxhim të mirëfilltë dhe koordinim të resurseve njerëzore. Gjykata Komerciale, nga 28 aktivitete, ka realizuar 26 prej tyre, në një shkallë të implementimit prej 93 për qind, që është rezultat i dobishëm duke ditur ngarkesën e lartë të lëndëve dhe rëndësinë që kjo gjykatë ka. Në nivel të gjykatave themelore, janë realizuar 100 për qind e aktiviteteve si në vijim: Gjykata Themelore në Prishtinë, Ferizaj, Mitrovicë dhe Gjakovë, që do të thotë se nga 34 aktivitete, 34 janë realizuar, duke dhënë një shembull të shkëlqyer të lidershipit dhe përkushtimit. Gjykata Themelore e Gjilanit ka realizuar 31 aktivitete nga 34, dëshmi e progresit të qëndrueshëm. Gjykatat e Pejës dhe Prizrenit kanë realizuar 33 nga 34 aktivitete, që përkthehet në një shkallë implementimi prej 97 për qind, një performancë e mirë. Në tërësi, këto flasin për rezultate të larta të punës”, tha ai.
Me asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim, miratohet pika e tretë për shqyrtimin e planit të punësimit për vitin 2026.
Ndërkaq gjashtë pika të tjera të rendit të ditës ishin të mbyllura për media.