Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) shpreh shqetësim të thellë lidhur me veprimet e Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, të cilat thonë se po pengojnë drejtpërdrejt zbatimin e reformës në Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK).
“Më 1 janar 2026 ishte paraparë që të fillojë reforma e shumëpritur në sistemin prokurorial të Kosovës. Me hyrjen në fuqi të Ligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për KPK, Këshilli Prokurorial i Kosovës nga fillimi i këtij viti do të ketë përbërje prej shtatë anëtarësh, nga 13 sa i kishte me legjislacionin e vjetër. Gjatë vitit të kaluar, prokurorët e prokurorive themelore, në një proces të bazuar në meritokraci, zgjodhën znj. Elsa Bajramin si përfaqësuese të tyre në Këshillin Prokurorial të Kosovës, mandati i së cilës do të duhej të fillonte më 1 janar të këtij viti. Përderisa pritjet legjitime të publikut janë se KPK do të ndërmarrë veprime konkrete në jetëzimin e reformës në sistemin prokurorial të Kosovës dhe në ruajtjen e parimeve të sundimit të ligjit dhe integritetit të sistemit prokurorial, fatkeqësisht realiteti po dëshmon të kundërtën”, thuhet në reagimin e IKD-së.
IKD vlerëson se Qalaj po vazhdon mendësinë e vjetër të qeverisjes me KPK-në.
“U.D. i Kryeprokurorit të Shtetit po vazhdon me mendësinë e vjetër të qeverisjes me Këshillin Prokurorial të Kosovës, duke shfrytëzuar interpretime të pabazuara ligjore të Zyrës Ligjore të Sekretariatit të KPK-së për të prolonguar funksionalizimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe po synon ruajtjen e një mendësie korporatiste brenda sistemit prokurorial. Për më tepër, IKD vlerëson se konstatimi i z. Agron Qalaj se propozimi i një (1) anëtari të KPK-së nuk ka marrë votat e nevojshme për miratim është në kundërshtim me Ligjin nr. 08/L-249 për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për KPK. Fillimisht, duhet theksuar se neni 37/A, i cili thekson se: “1. Deri në zbatimin e përbërjes së përhershme të Këshillit prej shtatë (7) anëtarësh, kuorumi i Këshillit formohet me gjysmën e anëtarëve të zgjedhur të Këshillit plus një (1) anëtar, duke përfshirë edhe rastet disiplinore, dhe vendimet merren me shumicë të thjeshtë votash të anëtarëve të pranishëm”, është dispozitë kalimtare, e cila ka vlejtur në kohën kur KPK kishte mbi shtatë (7) anëtarë dhe zbritja e numrit të anëtarëve duhej të vinte gradualisht, siç tanimë ka ndodhur. Tanimë, në situatën kur kjo dispozitë kalimtare ka humbur fuqinë ligjore, aplikohet neni 13 i Ligjit në fjalë, i cili thekson se: “1. Kuorumi i Këshillit formohet me pesë (5) anëtarë, duke përfshirë edhe rastet disiplinore, përveç nëse parashihet ndryshe me këtë ligj; 2. Vendimet e Këshillit merren me shumicë të thjeshtë votash të të gjithë anëtarëve të Këshillit, përveç nëse parashihet ndryshe me ligj”. Sipas kësaj dispozite, situata është plotësisht e qartë: KPK ka kuorum të mjaftueshëm prej pesë (5) anëtarësh për mbajtjen e takimit. Ndërkaq, vendimmarrja merret me shumicën e thjeshtë të votave të të gjithë anëtarëve të Këshillit. Ligji nuk i referohet tërësisë së numrit të anëtarëve, por i referohet “anëtarëve të Këshillit”, të cilët aktualisht janë pesë (5), dhe shumica e thjeshtë e tyre është tre (3). Në rastin konkret, propozimi i anëtarit të KPK-së ka përmbushur këtë kriter ligjor, pasi në mbledhje kanë qenë të pranishëm pesë (5) anëtarë të KPK-së, nga të cilët tre (3) kanë votuar pro dhe dy (2) kundër. Rrjedhimisht, propozimi ka marrë votat për miratim dhe do të duhej të konsiderohej i miratuar”, tha më tej në reagim.
IKD vlerëson se ndërhyrje të tilla në procedurën e vendimmarrjes përbëjnë tentativë për të sabotuar reformën në KPK përmes shkeljeve të hapura ligjore.
“Instituti i Kosovës për Drejtësi konsideron se përgjegjësia për këtë situatë i takon drejtpërdrejt Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, i cili, në vend se të sigurojë zbatimin e ligjit dhe funksionimin ligjor të KPK-së, ka zgjedhur të bllokojë një proces të rregullt dhe të ligjshëm vendimmarrës. IKD i bën thirrje Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z. Agron Qalaj, që të veprojë në përputhje me detyrimet ligjore, duke e konstatuar pa vonesa certifikimin e rezultatit zgjedhor të 1 nëntorit 2025, ashtu siç u votua në takimin e djeshëm. U.D. i Kryeprokurorit të Shtetit do të duhej të shërbente si shembull i respektimit të ligjit dhe procedurës për të promovuar integritetin dhe kredibilitetin e sistemit prokurorial në këtë fazë kalimtare, duke marrë masa për funksionalizimin e Këshillit Prokurorial dhe për tranzicionin e shpejtë dhe pa vonesa te Kryesuesi i ardhshëm i KPK-së”, thuhet në komunikatën e IKD-së.