Në Gjykatën Themelore të Gjakovës, Klan Kosova ka mësuar se ka nisur seanca për caktimin e paraburgimit për 15 të ndaluarit e dyshuar për falsifikim të rezultateve të votimit gjatë procesit të numërimit të votave brenda subjekteve politike për zgjedhjet e 28 dhjetorit në Komunën e Malishevës.
Prokuroria Themelore në Gjakovë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës-Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, njoftoi pak më parë se ka ndaluar 15 kryesues në kohëzgjatje prej 48 orësh.
Në njoftim u tha se në kuadër të këtyre veprimeve janë intervistuar gjithsej 58 persona, prej të cilëve 15 kryesues dhe 43 komisionerë.
Të gjithë të dyshuarit ngarkohen për veprën penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit”.
Ndërkaq, Prokuroria tha se pas grumbullimit të provave relevante, intervistimit të tyre, 43 komisionerët do të hetohen në procedurë të rregullt, në përputhje me procedurat ligjore në fuqi.