March 11, 2026
1 min read

Demonstratat e 81-tës, Kurti: Tërë Kosova iu përgjigj thirrjeve të studentëve për të protestuar

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i ka kujtuar demonstratat e studentëve të Universitetit të Prishtinës, të cilët 45 vjet më parë hapën periudhë të re për shqiptarët nën Jugosllavi.

“Ajo erdhi si një organizim i gjerë i nisur nga studentët, që një javë më parë, më 4 mars, kishin kundërshtuar kushtet e këqija në mensën e universitetit, por që protesta e tyre ishte ngritur në nivel artikulimesh politike”, shkroi Kurti në profilin e tij në Facebook.

Kurti deklaroi se mijëra njerëz nga tërë Kosova u përgjigjen në thirrjen studentëve të Universitetit të Prishtinës për të protestuar, transmeton Klankosova.tv.

“Kërkesat e tyre përmbledheshin pas parullës ‘Kosova Republikë’, e shkruar shkurtimisht edhe si “KR”, që ishte kërkesa e shqiptarëve brenda Jugosllavisë për Kosovën si republika e shtatë në kuadër të Federatës. Demostrata e 11 marsit, u pasua nga demostrata gjithëpopullore më 26 mars, si dhe me 1 dhe 2 prill 1981, që asaj stine ia dhanë epitetin e Pranverës ‘81, si stinë e kryengritjes politike dhe rizgjimit kombëtar të shqiptarëve nën Jugosllavi”.

I pari i ekzekutivit, theksoi se demostratat e shqiptarëve në vitin 1981, janë ndër ngjarjet kyçe në historinë politike të Kosovës.

“Ato ishin organizim i indinjatës qytetare dhe i revoltës së shqiptarëve si një populli që nën Jugosllavi ishte i shtypur dhe i nënpërfaqësuar politikisht, i diskriminuar etnikisht dhe i shfrytëzuar ekonomikisht”, shkroi tutje ai.

Duke kujtuar atë ditë, Albin Kurti thotë se demonstratat e vitit 1981 u shtypën dhunshëm nga policia jugosllave, pasuar nga mijëra arrestime, ndalime arbitrare, gjyqe politike dhe verdikte që rezultuan me mijëra të burgosur e vite të shumta dënimesh me burg.

“Por demostratat e pranverës së vitit 1981, e futën organizimin politik të shqiptarëve në Jugosllavi në një kahje të re, që kulmoi me rezistencën e armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku u bashkëorganizuan shumë nga ata që kishin qenë të organizuar edhe më 1981. Sot në 45 vjetorin e demostratave të vitit 1981, duke i kujtuar ato ngjarje dhe zhvillime historike, i kujtojmë me mirënjohje të gjithë individët dhe grupet që i dhanë jetë atij zhvillimi politik me ngjarje historike dhe të gjithë brezat që u përbashkuan te demostratat e vitit 1981”.

Latest from Blog

Go toTop