Organizata e Veteranëve Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka falënderuar të gjithë ata që ishin pjesëmarrës në protestën e sotme pranë Kuvendit, si shenjë kundërshtimi ndaj ekspozitës me shumë pasaktësi për masakrat në vend.
Përmes një postimi në Facebook, OVL e UÇK-së paralajmëroi se nëse kërkesat e tyre nuk merren për bazë, atëherë, sipas organizatës, aktivitetet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.
“Falënderojmë të gjithë pjesëmarrësit në protestën simbolike të sotme, të organizuar nga kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së. Njëherit, njoftojmë opinionin publik se nëse nuk do të ketë reflektim nga ana e institucioneve ndaj kërkesave tona, aktiviteti ynë kundër tendencave për shtrembërimin e historisë sonë do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, për të cilat do të njoftoheni me kohë”, thuhet në njoftimin e OVL e UÇK-së.