by
April 2, 2026
3 mins read

Ahmeti: Gjuha shqipe për mua nuk është dhe nuk do të jetë kurrë çështje negocimi

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, përmes një letre të hapur ka reaguar ndaj debateve për statusin e gjuhës shqipe në Maqedoni të Veriut, duke theksuar se çështje të tilla nuk duhet të trajtohen me “pasion të ditës”, por me përgjegjësi shtetërore.

Në letrën e tij, Ahmeti thekson se shtetet e qëndrueshme ndërtohen mbi parime të qarta dhe mbi respekt të ndërsjellë, ndërsa relativizimi i tyre hap debate të panevojshme.

“Ka çështje që nuk duhen trajtuar me pasion të ditës, por me pjekurinë që kërkon shteti. Ka tema që nuk janë as pronë e partive, as objekt garash politike, por pjesë e marrëveshjes sonë të përbashkët për të jetuar bashkë, të barabartë, në një shtet të përbashkët dhe evropian. Një prej këtyre çështjeve është statusi i gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare”, thuhet në letër.

Ai thekson se barazia nuk është slogan, por bindje politike dhe morale, duke shtuar se forca e shtetit qëndron te respekti i çdo qytetari dhe çdo populli.

“Sepse shteti bëhet i fortë jo atëherë kur njëra palë ndjehet superiore, por atëherë kur çdo qytetar dhe çdo popull ndjehet i respektuar, i njohur dhe i përfaqësuar me dinjitet të plotë. Pikërisht këtu qëndron pesha e gjuhës: ajo nuk është vetëm mjet komunikimi, por shprehje e identitetit, e dinjitetit dhe e barazisë kushtetuese”, u shpreh kreu i BDI-së.

Ahmeti është i prerë se gjuha shqipe nuk është çështje negocimi dhe lidhet drejtpërdrejt me themelet e shtetit.

“Gjuha shqipe për mua nuk është dhe nuk do të jetë kurrë çështje negocimi. E kam thënë dhe do ta përsëris pa asnjë rezervë: Marrëveshja e Ohrit është themel i këtij shteti dhe kush e vë në pikëpyetje atë, vë në pikëpyetje vetë të ardhmen e tij. Shqipja nuk është privilegj, por e drejtë e fituar dhe e garantuar me Kushtetutë”, thotë më tej ai.

Në reagimin e tij, kreu i BDI-së nënvizon se shqiptarët nuk kanë kontestuar gjuhën maqedonase dhe identitetin maqedonas, por kanë mbështetur një shtet të përbashkët dhe evropian.

“Kjo është e vërteta që duhet thënë qartë: barazia e shqiptarëve nuk e ka dobësuar shtetin, por e ka forcuar atë. Nuk e ka cenuar bashkëjetesën, por e ka bërë më të drejtë”, deklaroi ai.

Ahmeti paralajmëron se çdo përpjekje për të kufizuar statusin e gjuhës shqipe cenon rendin kushtetues dhe kohezionin e shtetit.

“Prandaj, çdo përpjekje për ta relativizuar, reduktuar apo dobësuar statusin e gjuhës shqipe nuk është thjesht debat juridik. Është prekje e një ekuilibri të ndërtuar me shumë mençuri politike”, tha Ahmeti.

Ai shpreh gjithashtu shqetësim për qasjet në Gjykatën Kushtetuese, duke i cilësuar ato si të papajtueshme me frymën e Marrëveshja e Ohrit.

“Sepse institucionet, sidomos ato kushtetuese, duhet të jenë gardiane të barazisë, jo hapësira ku vihet në pikëpyetje ajo që është fituar si standard i bashkëjetesës demokratike”, potencon ai.

Në letër përmendet edhe Komisioni i Venedikut, për të cilin thuhet se nuk ka konstatuar shkelje kushtetuese për ligjin e gjuhëve.

“Komisioni nuk ka konstatuar se ligji për përdorimin e gjuhëve është në kundërshtim me Kushtetutën apo me standardet ndërkombëtare”.

Në fund, Ahmeti thekson se nuk ka kthim pas për të drejtat e fituara dhe se çdo tentativë për kufizim është e rrezikshme për stabilitetin e vendit.

“Kthim pas nuk ka! Të drejtat e fituara nuk negociohen dhe nuk zhbëhen. Çdo tentativë për të kufizuar zbatimin e gjuhës shqipe është regres i rrezikshëm”.

Ai e mbyll letrën me një mesazh të qartë politik:

“Ky është qëndrimi im. I qartë, i panegociueshëm dhe i pakthyeshëm: nuk ka të ardhme pa barazi, nuk ka barazi pa dinjitet, dhe nuk ka dinjitet pa gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare”.

Ky reagim i Ahmetit vjen pasi Gjykata Kushtetuese në Maqedoninë e Veriut ka riaktivizuar përpjekjet për të shqyrtuar Ligjin e Gjuhës që kufizon zbatimin e gjuhës shqipe në vendin fqinj.

Latest from Blog

Shitësit online në shënjestër të mashtruesve

Vetëm disa minuta pasi një qytetar nga Prishtina publikoi një shpallje për shitje në platformën online MerrJep, atë e kontaktoi “blerësja” e parë. Ajo u interesua nëse produkti ishte ende në shitje
Go toTop