April 23, 2026
1 min read

Dita Ndërkombëtare: Nxënësit e shkollës “Pavarësia” dhurojnë libra për bibliotekën e tyre 

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Librit, nxënësit e klasës IV-3 të shkollës “Pavarësia” kanë realizuar një aktivitet simbolik, duke dhuruar libra për bibliotekën e shkollës.

Të udhëhequr nga mësimdhënësja Emine Ahmetaj, nxënësit kontribuuan me libra nga koleksionet e tyre personale, duke pasuruar fondin e bibliotekës dhe duke promovuar rëndësinë e leximit që në moshë të hershme.

Ky aktivitet, ndonëse i thjeshtë në formë, sipas tyre, bart një mesazh të fuqishëm për nxitjen e dijes dhe kulturës së leximit.

“Në çdo libër që vendosëm në raft, lamë një pjesë të shpirtit tonë, një dëshirë që dija të shpërndahet dhe të rritet pa kufi. Ky aktivitet nuk ishte vetëm për librin… ishte edhe për atdheun. Sepse përmes leximit, ne rrisim mendje të ndritura, qytetarë të përgjegjshëm dhe zemra që e duan vendin e tyre”, thuhet nga shkolla.

Përveç aspektit edukativ, aktiviteti, siç theksuan nga institucioni, u pa edhe si një mënyrë për të kultivuar ndjenjën e përgjegjësisë dhe dashurisë për vendin, duke theksuar rolin e dijes në formimin e qytetarëve të vetëdijshëm.

“Libri na mëson të njohim rrënjët tona, të çmojmë gjuhën dhe të ndërtojmë të ardhmen me më shumë vetëdije. U regjistruam si lexues, me një premtim të përbashkët për të mos u ndalur kurrë së lexuari. Në sytë e nxënësve pashë dashurinë për librin dhe një ndjenjë të pastër atdhedashurie që po rritet bashkë me ta. Sot nuk dhuruam vetëm libra… dhuruam dije, ëndrra dhe dashuri për librin dhe për atdheun”, thuhet mes tjerash.

Latest from Blog

Sa lexojnë deputetët e Kuvendit?

Në Ditën Ndërkombëtare të Librit, deputetët e Kuvendit të Kosovës u pyetën se sa lexojnë dhe kur është hera e fundit që kanë lexuar një libër. Xhavit Haliti i PDK-së nuk tregoi.
Go toTop